Në kuadër të projektit “Të rinjtë duke jetuar me Kulturën”, Europe Plus, në bashkëpunim me Gjimnazin “Hydajet Lezha”, zhvilloi workshop-e artistike, kulturore dhe edukative me nxënësit e shkollës, me synimin për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi historinë, kulturën dhe identitetin lokal të Lezhës.
Aktivitetet kombinuan mësimin teorik me elementë krijues dhe pjesëmarrës, duke u ofruar të rinjve mundësinë të njihen më nga afër me vlerat historike, kulturore dhe artistike të qytetit të tyre. Përmes diskutimeve, ushtrimeve praktike dhe aktiviteteve ndërvepruese, nxënësit reflektuan mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe rolin e saj në formësimin e identitetit individual dhe komunitar.
Një nga temat kryesore të workshop-it ishte trashëgimia kulturore si lidhje mes së kaluarës dhe së ardhmes. Të rinjtë diskutuan mbi pyetjen: “Çfarë mund të marrim nga e shkuara dhe të zgjedhim ta çojmë në të ardhmen?”. Nëpërmjet këtij reflektimi, nxënësit eksploruan mënyra konkrete se si traditat, vlerat, historitë, artizanati dhe elementë të tjerë të trashëgimisë mund të ruhen, promovohen dhe përdoren në jetën e përditshme, në edukim, art, turizëm dhe zhvillimin e komunitetit.
Workshop-et krijuan një hapësirë bashkëpunimi mes nxënësve, mësuesve dhe aktorëve lokalë, duke nxitur kreativitetin, mendimin kritik dhe angazhimin e të rinjve në jetën kulturore të komunitetit. Pjesëmarrësit u inkurajuan të shohin trashëgiminë jo vetëm si një pasuri që duhet ruajtur, por edhe si një burim frymëzimi për ide dhe iniciativa të reja.
Këto aktivitete përbëjnë një hap të rëndësishëm në realizimin e objektivave të projektit për edukimin kulturor të brezit të ri dhe forcimin e lidhjes së tyre me trashëgiminë historike dhe kulturore të Lezhës.
Projekti “Të rinjtë duke jetuar me Kulturën” synon të kontribuojë në gjallërimin e jetës kulturore lokale të Lezhës përmes përfshirjes aktive të të rinjve, shkollave, artistëve dhe institucioneve kulturore.